Gjashtë personat që kanë bashkëpunuar për të kryer vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj mesditën e 19 prillit brenda lokalit të tij në Shëngjin tashmë janë në kërkim dhe po ndiqen procedurat urgjente për të dërguar letërporositë në drejtim të Portugalisë për vrasësin dhe të Britanisë së Madhe për 5 të tjerët, porositën shqiptar Edmond Haxhia dhe 4 britanikët.
Ministri Manja ka thënë dje se sapo prokuroria t’i ketë gati, Ministria e Drejtësisë do t’i nisë sa më shpejt. Në orët e vona të pasdites të së mërkurës, Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar ndaj tyre masat e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkohë thuhet se Edmond Haxhia është tradhtuar pikërisht nga një grua, e afërm e tij.
Ajo ka treguar të gjitha lëvizjet e të akuzuarve. Ajo ka dëshmuar se të gjashtë i ka parë në fshatin Kakarriq bashkë. Ajo ka patur dijeni për prezencën e shtetasve të huaj në Shqipëri dhe shoqërinë e tyre me Edmond Haxhinë, duke treguar në polici të gjitha lëvizjet e tyre. Haxhia është pikasur gjithashtu nga kamerat kur mori në aeroport 5 të huajt.
Dëshmia e një gruaje, e afërm me Haxhinë, është faktuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë, duke çuar në zbardhjen e plotë të ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, që deri në këtë fazë hetimesh rezulton të ketë ndodhur për shkak të hasmërisë që ai ka pasur me fisin Lekstakaj. Po verifikohen disa të tjerë si të përfshirë në ngjarje, po merren në pyetje dhe po mbahen në vëzhgim.
Ja kush është vrasësi
Për vrasjen Ardian Nikulaj më 19 prill më lokalin e tij, akuzohen 4 britanikë, dhe portugezi Ruben Saravia që shtiu me porosi e financim të Edmond Haxhia, kushëri i të rinjve Lekstakaj, familja në gjak me viktimën në Shëngjin. Vrasësi dyshohet se ka ndenjur për 2 muaj në fshatin Kakarriq ndërkohë që për të justifikuar qëndrimin e gjatë thuhet se i thoshte fshatarëve se ishte i dashuruar me një shkodrane por familja e saj nuk e donte këtë lidhje për shkak të ngjyrës së tij të lëkurës.
Portugezi Ruben Saravia i cili akuzohet ekzekutues i Ardjan Nikualjt në Shëngjin, madje ka blerë motorin me të cilin lëviztë mes Lezhë dhe Shkodrës, ne internet nëpërmjet rrjetit te shit-blerjeve “Merrjep.al”, duke thënë se do t’ia dhuronte të dashurës për Shën Valentin.
Ndërkohë Saraiva në momentin kur ka hyrë në lokalin ku ekzekutoi ka përdorur një përshëndetje në shqip drejtuar biznesmenit Nikulajt. “Si je?” është fraza që ka përdorur Saraiva me qëllim për të bërë konfuz viktimën dhe dëshmitarët në lokal.
Dinamika e ngjarjes
Portugezi, Ruben Saraiva ka hyrë në Shqipëri më 11 shkurt 2023 dhe është larguar në mbrëmjen e 19 prillit 2023. Për më shumë se dy muaj, vrasësi ka qëndruar në Kakarriq ne banesen e porositësit Edmond Haxhia, por ka lëvizur edhe në Lezhë dhe Shëngjin për të njohur zonën.
Ndërsa Steven Hunt nga qyteti i Birmingham, ka qenë vëzhguesi. Kamerat e sigurisë të hotelit ‘Coral’ në pronësi të Ardian Nikulajt tregojnë momentin kur në 11 prilli, anglezi, Steven Hunt njëri prej të shpallurve në kërkim hyn në hotel dhe gjen recepsionistin teksa flen gjumë. Që prej kësaj date, Steven Hunt ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Ardian Nikulajt deri në 19 prill ditën kur ndodhi vrasja.
Ai ishte në lokal kur ndodhi ngjarja, lajmëroi vrasësin portugez të futej brenda në lokal të ekzekutonte Nikulajn. Anglezi në orën 18:00 së 19 prillit ka prerë një biletë me linjën ajrore që largohej nga Shqipëria po atë mbrëmje.
Në pamjet e siguruara, shihet momenti teksa portugezi jashtë ambienteve të lokalit, ka marrë informacion për vendin se ku ndodhej Nikulaj dhe ka hyrë për të kryer vrasjen. Edmond Haxhia, një ditë pas ngjarjes, më 20 prill u largua me avion nga Rinasi drejt Britanisë së Madhe.
Gjakmarrja mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj
Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra. Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën.
Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant. Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.
Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazbardhura.