Që Edi Rama u shqetësua shumë nga performanca e Vjosa Osmanit në Tiranë, këtë e vërtetoi batareja mediatike e “bigëve” pranë tij që nuk lanë metaforë pa e përdorur në sulmin artilerik ndaj saj.
Edhe pse u hoq si serbes, e bojkotoi, dhe nuk bzani, Babloku është sot i mërzitur më shumë se kurrë.
Kjo ngaqë në politikën e Kosovës, vijon të mbetet një faktor problematik, pikërisht prej mënyrës sesi e gatoi “hallvën” me Hashim Thaçin, apo edhe me Vuçiçin.
Rama ka korrur pikërisht atë farë që mbolli, arrogant u tregua në fillim me Kosovën që nga fjalimi i tij i parë në Parlamentin e saj, e natyrisht frytet do të ishin të hidhura.
Megjithatë Vjosa Osmani, edhe pse arriti të shkaktojë bujë në vizitën treditore në Tiranë, do të duhej të ishte treguar paksa më e kujdesshme për ta kthyer performancën e saj 72 orëshe në shtetin e parë shqiptar në një perfeksion.
Realisht, ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, i dha një “dru” të mirë Bablokut të Tiranës, i cili e kishte mëse të nevojshme.
Që prej vizitës së Vjosës, Rama është i strukur e sipas gjasave do të sajojë ndonjë vizitë në Prishtinë ku do të jetë më i strukur e i përulur.
Në këtë mision të saj, që duket e kishte llogaritur që në Prishtinë, Vjosa normalisht që do të përdorte edhe faktorët politikë që janë kundër Ramës, siç është Ilir Meta, Basha, apo edhe Sali Berisha.
E pikërisht këtu është kleçka ku vizita e Vjosës nuk arriti perfeksionin. Natyrisht këtu duhet të synojë, si ajo ashtu edhe Albin Kurti.
Si lideri i Vetëvendosjes, ashtu edhe partnerja e saj politike, që sot është në krye të Kosovës, shihen në sytë e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por natyrisht në Shqipëri edhe në treva, jo si kundërshtare politike të Edi Ramës, por si përfaqësuese reale të klasës së re politike, që është në fakt aspirata dominuese tek opinioni publik mbarëshqiptar.
E në këtë lëmi, kalimi në revistën e Sali Berishës dhe Ilir Metës, edhe pse këto mund t’i përdorësh thjesht si kartë momentale, e prish magjinë të paktën aktualisht që ka aureola e një elite të re politike.
Rrjedha që Vjosa solli në Tiranë, ishte natyrisht e vrullshme dhe e egër siç mund të jetë çdo ujë i freskët që ashtu si dhe lumi shqiptar që ka emrin e Presidentes së Kosovës është i egër dhe merr çfarë gjen përpara.
Edhe pse nuk është prefekt, rrjedha e freskët është e fuqishme dhe dëmton e rrëzon reliket e së vjetrës, të cilat i shtyn me furi drejt detit ku dhe ka derdhjen finale, ku gjithçka qetësohet dhe merr formë duke hyrë në logjikë dhe racionalitet.
Vjosa, ashtu edhe Albini, nuk kanë përse preokupohen se përse kauzat apo lëvizjet e tyre do të shkaktojnë trazira në politikën dhe opinionit publik të Tiranës, ngase kjo lëvizshmëri jep më shumë gjallëri, por duhet të kenë kujdes që të mos i japin alibi relikeve edhe më të urryera sesa Rama që po përdorin kauzën e kësaj elite të re të Kosovës.
Kjo ndarje bëhet fare kollaj. Mjafton një qëndrim politik, sepse ndryshe thjesht do bënin gabimin e revolucionarit që shet kauzën për pushtetin, madje ende pa e marrë atë…
Discussion about this post