Plagoset në atentat shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj dhe babai i tij, Xhelal Hasanaj.
Korespondenti i Panorama ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes, ku autori ende i paidentifikuar ka qëlluar në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin tre shtetas, babë e bir dhe gruaja e Mentorit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, ku blutë raportuan se ishte një person që qarkullonte me motomjet, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit Mentor Hasanaj 37 vjeç, Vjollca Hasanaj 28 vjeçe dhe Xhelal Hasanaj 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
“Si pasojë janë plagosur Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore”, tha policia.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimin e autorit
Discussion about this post