Vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për shkarkimin e kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, analisti Arian Çani, e cilësoi si një nga provat e një lufte të fortë bërrylave të paparë që bëhet mes pushtetit, Edi Ramës dhe amerikanëve.






Ai tha se amerikanët nëpërmjet ambasadores Yuri Kim, nuk e kanë dashur Imeraj pas përgjimeve që sipas tyre, prokurorja i ka bërë një përfaqësuesi të Opinionit Ndërkombëtar të Monitorimit.






Duke folur në studion e lajmeve të MCN Tv, Çani tha se Elisabeta Imeraj, ka qenë një profil shumë interesant, duke thënë se i është dukur një grua e fortë me karakter dhe është munduar të jetë e paanshme në çështjet që ka pasur.






“Ka pasur mbështetjen e qeverisë deri në momentet e fundit, edhe vetë Rama e ka mbështetur, mbase jo publikisht por e ka mbështetur. Oligarkët që kanë dashur të kenë një njeri në drejtësi, kanë qenë me Elisabeta Imeraj. Amerikanët kanë qenë kundër, kjo s’është gjë tjetër veçse një fitore e vogël e Yuri Kim ndaj Edi Ramës. Gjithë problemi është kush do e kontrollojë më shumë drejtësinë Edi Rama me të vetët apo amerikanët.






Imeraj është viktimë e kësaj lufte. Me kalimin e ditëve pritet të shihet nëse do e çoj çështjen në Strasburg, kur tha se vetingu është gjueti shtrigash dhe mohoi të gjitha akuzat. Publikut duhet t’i mbetet në mend lufta për pushtetin e drejtësisë. Amerikanët janë dakord që Rama të ketë drejtësinë për disa gjëra, por s’mund ti lënë çdo gjë. Nuk është luftë as për parime, as për ideale, është një luftë se kush dominon më shumë drejtësinë.






Është një merimangë e paparë, ku disa koka priten, disa koka ngrihen. Imeraj është viktimë e kësaj lufte. Ajo sot filloi të flasë. Jam i bindur se me karakterin që ka dhe nëse nuk do të harrohet, i ka të gjitha shanset që të flasë dhe të tregojë, vetëm kështu ka mbështetjen e njerëzve. Rama apo amerikanët, kush duhet të ketë më shumë kontroll te kjo lloj drejtësie?”