Avokat Spartak Ngjela e sheh zyrtarizimin e koalicionit të Berishës me partinë e Presidentit si një strategji për t’u mbrojtur nga amerikanët dhe zhvillimet që priten nga drejtësia.
Berisha e bëri të qartë dje se në 6 mars do futet në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe sipas Ngjelës të dy janë të humbur prandaj po kërkojnë rrugë shpëtimi. Sipas avokatit si Meta ashtu edhe Berisha do të tentojnë destabilizim të vendit për t’i shpëtuar ndëshkimit. “90% e demokratëve minimumi nuk e pranojnë Ilir Metën, nuk e duan, por Berisha kuptohet që mbështetet nga ai 10% që ngeli.
Do vijë 10% që mbështesin Berishën do bashkohen me përqindjen e vogël nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për të krijuar destabilizim. Të dy kërkojnë destabilizim si Meta ashtu edhe Berisha, nuk e kanë për fitimin e zgjedhjeve sepse nuk i marrin dot. Por a do kenë mundësi ta destabilizojnë vendin, a do ta lejojë politika amerikane që të ketë destabilizimin në Shqipëri është pyetja. Përgjigjja është kurrë!
Prandaj pritet goditje edhe ndaj Metës edhe ndaj Berishës, goditje nga ligji sigurisht”, tha avokati.
Avokati komenton situatën politike në vend
Ngjela nga ana tjetër komentoi edhe shkarkimin e presidentit Ilir Meta për të cilin u shpreh se nuk ka asnjë shans që të kalojë pushimin nga puna, pra shkarkimin nga Gjykata Kushtetuese.
Avokati tha se si Meta ashtu dhe Berisha janë të mundur dhe kanë gjetur rrugë më të keqe për veten e tyre. Ai u shpreh se ish-kryeministri është goditur nga politika amerikane dhe legjislacioni amerikan megjithatë sipas avokatit, Berisha është përpjekur të shpëtojë nga kjo situatë duke përdorur gjithçka ka.
“Bashkimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka tepër gjasë dhe mundësi që të jetë bashkim me Ilir Metën. Ilir Meta nuk besoj se ka ndonjë shans për ta kaluar pushimin nga puna, pra shkarkimin nga Gjykata Kushtetuese. Duhet të kemi parasysh një gjë: I munduri gjen gjithmonë rrugën më të keqe për vete. Berisha është i mundur sepse është goditur me goditje ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare nga politika amerikane dhe nga legjislacioni amerikan. Për të dalë nga kjo Berisha po kërkon të operojë me të gjitha mjetet”, deklaroi ai.
Ngjela tha se ish-kryeministri tash prej kohësh ka punuar fort që të destabilizojë vendin duke rikujtuar kështu edhe një herë ngjarjen e protestës së 8 janarit në selinë blu. Avokati u shpreh se bashkimi me LSI, është në funksion të presidentit, por nuk i jep Berishës. Ngjela tha se Meta si një president i shkarkuar ka një ngarkesë shumë të madhe negative sa i përket opinionit publik. Sipas avokatit kjo do t’i jepte kreut demokrat Lulzim Basha një siguri dhe konsolidim të pushtetit të tij në Partinë Demokratike. “Deri tani punoi shumë fort për destabilizimin e Shqipërisë deri në atë budallallëkun që krijoi për të marrë selinë e Partisë Demokratike si kështjellë.
Tani u bashkua me Lëvizjen Socialiste për Integrim, gjithmonë në funksion të Ilir Metës. Por, Ilir Meta është i shkarkuar.
Fakti që është i shkarkuar dhe fakti që në opinionin publik ka një ngarkesë shumë të madhe negative ndaj tij, i jep mundësinë Bashës që të shkojë i sigurt drejt konsolidimit të pushtetit të tij në Partinë Demokratike”, u shpreh Ngjela.