Djali i demokratit të ndjerë, Sokol Olldashi, Glauk Olldashi, ka deklaruar se Kuvendi Kombëtar i PD-së ishte një Kuvend ku prevaloi transparenca dhe se fjala e sovranit po shfaqet.
Olldashi e ka quajtur të turpshëm, atë që Lulzim Basha po përpiqet të bëjë me mbledhjen e pseudo-Kuvendit të 18 dhjetorit.
Olldashi: Ishte një Kuvend ku mbi të gjitha transparenca prevalonte dhe besoj se nuk ka nevojë për fjalë se aty çdo gjë shihej me sy. Aprovimet e anëtarësisë nen për nen nuk bëhen me votim të fshehtë se është fizikisht e pamundur, pra votimi me ngritje dore është mënyra e vetme që mund të bëhet. Gojët e liga do të flasin gjithmonë.
Vendimin e merr Këshilli Kombëtar dhe anëtarësia, duke qenë se jemi ende në numërim, nuk mund t’i themi vendim, se është duke u numëruar, fjala e sovranit do të na tregojë.
Referendumi është referendumi i të gjithë anëtarësisë. Ai Kuvendi nëse do të ishte siç u thirr në fillim me kërkesë të kryetarit do të ishte në rregull, por ai Kuvend degradoi në një Kuvend ku elementë të caktuar kapnin lloj e soj dhe u thoshin firmos.
E turpshme, jo vetëm ata, por për të gjithë demokratët, nuk duhej arritur deri në këtë pikë. Secili që mendon veten të aftë për ta ushtruar funksionin e kryetarit të PD është i lirë të kandidojë, në fund të ditës vota është ajo që vendos çdo gjë.