Partia Demokratike ka dorëzuar sot në SPAK padinë e tretë për inceneratorin e Fierit.
Kallëzimi është bërë nga Enkelejd Alibeaj dhe Çlirim Gjata. Përpara mediave Alibeja tha historia e inceneratorit të Fierit ka të përbashkët me atë të inceneratorit të Elbasanit një emër, Klodian Zoton.
“Klodian Zoto i cili inicioi aferën në Elbasan, i cili në Tiranë së bashku me dy shoqëri të tjera formuan një guaskë në Holandë. Në Fier ka dalë me gjoksin përpara, ka dalë vetë, ka bërë një kërkesë për të marrë inceneratorin e Fierit, ndërkohë që nuk kishte asnjë lloj eksperience. Për këtë arsye ka bërë sikur ka gjetur një shoqëri të huaj italiane, “Energy Due” dhe ka lidhur një bashkim shoqërish, 80% ai dhe 20% shoqëria italiane dhe janë paraqitur në Ministrinë e Mjedisit për të marrë inceneratorin e Fierit”, tha ish-deputeti i PD.
Më pas Alibeja tha se gara është bërë në shkelje të ligjit. “Do të duhej që për shkak të shumës prej 28 mln euro, do të duhej që së paku të botohej në një gazetë europiane, në mënyrë që të kishte garë, sepse kishte edhe të tjera investitorë që mund të merrnin pjesë në garë. Asgjë e tillë nuk u bë sepse fituesi ishte i paracaktuar, ishte Klodian Zoto. Sapo u deklaruan fitues, atë ditë ka ndodhur një gjë e çuditshme. Firma italiane, ajo e cila u mor për eksperiencën, si kusht i domosdoshëm ligjor, shiti kuotat e veta, 20% e saj. Për sa e kanë shitur? Për 20 mijë lekë të reja, 200 mijë lekë të vjetra. Vetëm për 20 mijë lekë të reja është shitur 20% e kapitalit të shoqërisë italiane. Shkelja e tretë është se sapo ka dalë fitues, pa hedhur një lopatë dhe siç thuhet në këto raste, ka marrë plot 5 milionë euro në xhepin e tij. Zero investim.
30 milionë euro ishte e gjitha në fakt. Ka aplikuar për të marrë një kredi, se s’kishte para, kredi për të bërë investimin. Kur bën një aplikim për kredi, ti merr aq para sa duhen për investimin. Rezulton nga dokumentet, se kredia e marrë është 15 mln euro. Kjo shoqëri në vitin 2017 do të duhej të kishte në borderonë e saj njerëz, të cilët do të kishin punuar për inceneratorin e Fierit. E dini ju sa punonjës të deklaruar ka? Zero, asnjë, madje as administratori vetë nuk deklarohet si i punësuar. Pra, një shoqëri fantazëm e cila merr 13 milionë euro në dorë vetëm me një ditë, pa bërë asnjë punë, pa asnjë të punësuar dhe incenerator që nuk punon. Shoqëria e Klodian Zotos, e përfshirë në Elbasan dhe në Fier është duke u hetuar së bashku me skandalin e madh të TVSH-ve. Është shoqëria e cila kryeson renditjen për shifrën e madhe të vjedhjeve përmes TVSH-së, janë plot 8 milionë euro e gjysëm të cilat për shkak të makinacioneve i ka futur në xhep”, akuzon Alibeaj. Më pas ish-deputeti shprehet se “kjo që ka ndodhur në Fier, Elbasan dhe Tiranë është si trekëndëshi i Bermudeve ku parashikohet në totalin e tyre 500 milionë euro që do t’ju zhvaten shqiptarëve dhe do të shkojnë në xhepat e Klodian Zotos, Mirel Mërtirit e Arben Ahmetajt, Edi Ramës, Lefter Kokës, Alqi Bllakos, dhe që janë emra që ne i kemi kallëzuar sot”.
Discussion about this post