Duket se masa e parë kundër Serbisë pas kidnapimit të tre policëve tanë ka ardhur.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalet importi i mallrave nga Republika e Serbisë.
Në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti që e ka quajtur edhe “agresion” edhe synim për destabilizim.
Taksa 100 për qind
Kujtojmë se tarifa doganore 100% ishte marrë nga Qeveria Haradinaj pas dëshimit të Kosovës për të hyrë në UNESCO.
Kjo politikë ishte mbështetur edhe nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje, por të cilët kishin propozuar masën e Reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik dhe politik me Serbinë.
Sidoqoftë, do të ishte vetë Kurti ai që do të hiqte taksën 100% ndaj mallrave serbe në mars dhe prill të vitit 2020 si kryeministër në Qeverinë Kurti I.
Megjithatë, ai do të rrëzohej në atë kohë nga pushteti por do të premtonte se menjëherë pas ardhjes në pushtet (çështje ditësh e javësh, por kurrësesi muajsh) do të vendoste Reciprocitetin.
Kryeminsitri Kurti kishte ardhur në pushtet sërish pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, por deri tash nuk e ka realizuar premtimin e Reciprocitetit. Madje, ka pasur shumë kritika ndaj Qeverisë së tij për rritjen e importeve nga Serbia gjatë periudhës sa është në krye të Qeverisë.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian (BE) sot konfirmoi se do të merrte masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos-depërshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës. Ndërkohë, masa tjera ndëshkuese janë paralajmëruar edhe nga ShBA-të.
Kurti e ka lidhur kidnapimin e tre policëve sot me arrestimin e djeshëm të të dyshuarit për terrorizëm Millun Millenkoviq Llune.