Alfred Lela
Sali Berisha mund të ketë synuar simbolikë dhe qëllimshmëri në përzgjedhjen e një ore të natës për të bërë homazhe te vendi ku u vra Azem Hajdari 23 vjet më parë. Berisha ka dashur të evokojë dhe të lidhë vrasjen natën të të ndjerit Hajdari dhe ‘vrasjen’ e tij, po natën, nga Lulzim Basha. Po aq, ai mund të ketë dashur të kontrastojë si ‘dita me natën’ me shefin e Partisë Demokratike.
Për Berishën nata nuk është diçka e re, në kuptimin politik të saj. Me gjasë atij i janë kujtuar, si netët stuhi dhe vrull të Lëvizjes së Dhjetorit, si ato gjatë dhe pas vrasjes së Azemit, mu nën strehën e selisë së Partisë Demokratike, apo netë e gjata të vetmisë së madhe në periudhën ‘97-2005, kur ai u braktis nga komuniteti ndërkombëtar, posaçërisht amerikanët.
Nata nuk është e huaj as për Bashën. Ai u bë legjendar si lideri që i shpall listat e kandidatëve për deputetë vonë në fund të natës; po natën e mbajti ai fjalimin e 26 prillit për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit. Pasi kish rënë nata e 9 shtatorit, shpalli ai edhe përjashtimin e paraadhësit të tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Sa i takon natës së 12 shtatorit 2021, Sali Berisha kishte një element në dekor që i mungonte Bashës, i cili kish zgjedhur një orë plot dritë vjeshte për të përkujtuar liderin dhjetorist. Të birin e Azemit, Kir Hajdarin.
Rudina, trashëgimtarja politike e Azemit, u mungonte të dy sfilatave të PD. “E bija e të atit’, siç e ka quajtur Sali Berisha, hyri në një kurs përplasjeje me lidershipin demokrat kur vendosi të mos e djegë mandatin në shkurtin e para dy viteve, duke iu shmangur vendimit të Bashës. Në kuptimin e rebelizmit, trashëgimia e Azemit ka mbijetuar te ajo.
Brenda kuptimit të trashgimisë, si Berisha, e sidomos Basha, u detyrohen demokratëve dhe traditës politike të partisë një raport të ri me Rudina Hajdarin. Përkujtimoret e përvitshme te monumenti, ndërkohë që e ke tendosur deri në këputje marrdhënien me të bijën, zbulojnë diçka nga kotësia dhe hipokrizia e ritualit.
Në mos këtë atë tjetrën: Partinë Demokratike, kështu siç është katandisur këtë fillim shtatori, nuk e njohin më as heronjtë e saj.
Një parti që, qartësisht, duket se e ka përmbyllur një epokë, por nuk prezanton dot një të re. E vërtetë që Berisha me shpurën e tij ngjanin kërcënues brenda së ‘vjetrës’ së tyre, por jo të pavend. Por, nuk është më pak e vërtetë se, as Basha me shpurën e vet nuk ngjanin të rinj. Edhe pse qëllimi i Bashës ky ishte, paraqitja e lidershipit të tij të ri në parti. Mungesa, e një personazhi të vetëm që vjen nga PD e kohës së Berishës dhe Hajdarit, sfumonte idenë e traditës. Sidomos kur ke dalë në publik për të celebruar pikërisht traditën.
Rastësia kthehet në simbolikë edhe njëherë tjetër. Fotografia e përkujtimores na jep këtë pamje: Basha me të tijtë me fytyrë nga monumenti i Azemit dhe me shpinë nga selia e dikurshme e Partisë Demokratike, ku u shkrua shumica e historisë së saj.
Shkrimi i historisë kërkon akte, natyrisht, por edhe pa simbolikën nuk bën.