Michael Schmidt-Neke është një mik i shqiptarëve dhe merret prej dekadash me historinë dhe me zhvillimet aktuale të Shqipërisë.






Ai rrëfen në një intervistë krejt të veçantë për Vox News kontaktin e parë me Shqipërinë dhe shqiptarët, vizitën e parë këtu në mes të viteve ’70, si nisi të mësojë në mënyrë autodidakte shqipen e deri te perceptimi në Europë i imazhit të shqiptarëve dhe politikës shqiptare.






Schmidt-Neke në këtë intervistë sjell përshtypjet mbi regjimin komunist, duke i njohur tri meritat më të mëdha, por edhe tri mëkatet më të mëdha.
Rrëfen se çfarë është bërë gabim në tri dekada demokraci, ku rendit mes fatkeqësive vitin e mbrapsht 1997 dhe korrupsionin kronik të klasës politike, që përgjithësisht e ka përdorur pushtetin për qëllimet e veta financiare.






Berishën e quan autokrat, që mendon se është i pazëvendësueshëm dhe vlerëson se rikthimi i tij në krye të PD-së mund të jetë edhe fundi i kësaj partie.
Në fund, një mendim për integrimin, gjeopolitikën dhe faktorin shqiptar në rajon. Këtu thotë se ndryshimi i njëanshëm i kufijve rrezikon të ndezë fuçinë e barutit në Ballkan.






Ju jeni një njohës i mirë jo vetëm i historisë, por dhe i vendit tonë në përgjithësi. Çfarë ju lidh me Shqipërinë?
Duhet të pranoj se nuk kam asnjë rrënjë në Shqipëri. Si nxënës në vitet ‘70 zhvillova njëfarë interesi për Shqipërinë pikërisht sepse ishte gati e pamundur të mësosh diçka për këtë vend europian. Libraritë tona (flas për Gjermaninë Perëndimore) ishin pak a shumë bosh sa përkiste letërsisë për Shqipërinë. Ishte një rast i lumtur se në vitin 1975 – pas maturës – u ofrua një udhëtim turistik një javor për në Shqipëri, pra, ishte qëndrimi im i parë në Shqipëri. (Për ne ishte aq e pazakontë se revista “Der Spiegel” “infiltroi” në këtë grup turistik një gazetar në një kohë kur gazetarëve rregullisht iu mohohej viza e hyrjes.)






Kur studiova gjuhët klasike dhe histori në Freiburg nuk kishte asnjë program për gjuhën shqipe a për historinë shqiptare; kështu fillova ta mësoja shqipen në mënyrë autodidakte duke u mbështetur në një metodë të botuar në Shqipëri. Mora pjesë dy herë në seminarin ndërkombëtar të organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe në aktivitetet të organizuara në bashkëpunim të Institutit të Gjuhësisë të Universitetit të Bonit dhe të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, dhe për përgatitjen e disertacionit tim për zhvillimet politike midis 1912 e 1939, presidenti i Akademisë, Aleks Buda, më ftoi të shfrytëzoja sfondet e bibliotekave shkencore në Tiranë. Këto janë fillimet e kontakteve të mia me Shqipërinë.
Shqipëria prej shumë kohësh ka vajtur nga stereotipe paragjykuese nga shtetet evropiane. Cili është imazhi që kanë shqiptarët sot në arenën ndërkombëtare?
Kjo varet nga këndvështrimi. Kur flasim për politikën zyrtare, mund të thuhet sot se Shqipëria është pak a shumë një faktor stabiliteti. Ajo merr pjesë në proceset ndërkombëtare p.sh. në anëtarësimin në BE, në Procesin e Berlinit, në Open Ballkan, në sanksionet ndaj Rusisë në kontekstin e sulmit rus kundër Ukrainës. Papajtueshmëria brenda klasës politike të Shqipërisë dëmton imazhin e mirë, por të paktën pas luftës civile të vitit 1997 çdo legjislaturë e Kuvendit u përmbush deri në ditën e fundit. Mjerisht situata e Republikës së Kosovës është ndryshe; atje pas Luftës së Kosovës çdo legjislaturë u shkurtua me zgjedhje të parakohshme.
Kur flasim për imazhin publik e shqiptarëve nuk është sekret se ky imazh ka vuajtur shumë nga veprimtaria e kriminelëve me kombësi shqiptare. Ky imazh negativ transmetohet në masmedia, në filma policore etj. Doemos duhet argumentuar se asnjë komb duhet të vlerësohet e gjykohet pas anëtarëve me të këqij – edhe ne gjermanët nuk duam të gjykohemi vetëm e vetëm pas kriminelëve nazistë. Por stereotipe të tilla vështirë të eliminohen.
Për fat të keq edhe vetë shqiptarët e fshehin identitetin e tyre kombëtar ndaj publikut gjerman. P.sh. tek ne ka shumë restorante italiane, greke, kroate etj. të cilat kanë pronarë shqiptarë të cilët nuk guxojnë të prezantojnë ndërmarrjen e tyre si restorant shqiptar me kuzhinë etnike sepse merakosen se publiku do ta shmangë.
Shqipëria ka jetuar për thuajse më shumë se 4 dekada në regjim komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha. Cili është opinioni juaj lidhur me atë periudhë, mund të rendisni tri gjëra që u bënë mirë dhe tri të tjera që i sollën dëme vendit?
Siç kam thënë më lart unë vizitova Shqipërinë për herën e parë në vitin 1975 – lidhja me Kinën ishte akoma e gjallë, dallgët e spastrimeve ishin kaluar. Pra, përshtypja e turistëve në përgjithësi ishte aspak e keqe për një vend të prapambetur në zhvillim të vrullshëm.
Propagandistët me të fuqishëm nuk ishin as shoqëruesit shqiptarë dhe as anëtarët e grupeve marksistë-leninistë; ishin disa zotërinj pleq, veteranë të luftës, të cilët morën pjesë në pushtimin e vendit 1943-‘44, zakonisht antikomunistë të regjur. Ata ishin entuziazmuar nga përparimet e arritura: “Ky Enveri, ky burrë i dheut, ai i ka dhënë fund dembelizmit me të cilin ishim mësuar ne dhe vërtet ka shndërruar vendin!”
Pra, kthesa historike e viteve 1990/91 ishte e domosdoshme, por shqiptarët nuk janë ngritur nga ferri në parajsë – as anasjelltas.
Mendoj se meritat me e rëndësishme e sistemit të PPSH-së janë:
– arsimi për gjithë popullin dhe shfarosja e analfabetizmit;
– krijimi i sistemit shëndetësor me efekte të thella në nivelin e jetesës dhe të jetëgjatësisë;
– emancipimi i gruas, edhe kur mbeti i pambaruar duke lënë gratë me barrën e dyfishtë të punës dhe të familjes.
Mëkatet më të këqija ishin:
– represioni i egër dhe çnjerëzor me vrasje, burgime, dëbime dhe internime si shtrembërim i konceptit të “luftës së klasave”
– ruajtja e familjarizimit tradicional – me gjithë propagandës së luftës së pandërprerë kundër zakonet e prapambetura – duke përçarë shoqërinë shqiptare në “familje të mira” dhe “familje të këqija” dhe duke ndëshkuar brez pas brezi shtresa të mëdha të popullit për “fajin” se kishin lidhje gjaku me ndonjë funksionar të një regjimi të rrëzuar, me ndonjë emigrant a refugjat politik a me ndonjë titullar komunist të rrëzuar
– izolacionizmi në vitet ’70-’80si mbivlerësim i potencialeve të një vendi periferik të zhvillohej “duke u mbështetur në forcat e veta” me rezultat shkëputjeje të ekonomisë së vendit nga përparimi teknologjik dhe të vendit nga proceset ndërkombëtare të kapërcimit të Luftës së Ftohtë.
Kemi gati 30 vjet në sistem pluralist, por demokracia dhe modernizimi i shtetit duket ende një mision i parealizuar. Si e gjykoni ecurinë e Shqipërisë në këto vite?
Sigurisht vështirë të thuhet a ka kaluar tamam epoka e trazicionit në Shqipëri apo jo. Shumica e shqiptarëve kishin patur iluzione dhe shpresa jorealiste se kalimi nga socializmi etatist në kapitalizëm të shfrenuar do të shkaktojë menjëherë një përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm të kushteve të jetës. Gjynah se rezultati i zhgënjimeve të shumta ishin lufta civile e vitit 1997 dhe eksodi i forcave të reja dhe të kualifikuara të cilat tani mungojnë në rimëkëmbjen e vendit. Përdorimi i politikës për qëllime ekonomike mbetet rrënja e korrupsionit e cila rëndon në shoqërinë shqiptare.
Në krye të partive shqiptare ka ende drejtues që kanë dalë nga sistemi komunist, përse është kaq e vështirë shkëputja nga e kaluara?
Ju e keni fjalën për rishfaqjen e Sali Berishës në skenë. Tragjedia e Berishës është se ai kurrë nuk diti të kuptojë kur ishte momenti i duhur për të lënë vend të tjerëve. Ai ka merita të padiskutueshme gjatë fazës së parë të tranzicionit, por si karakter karizmatik dhe autokrat Berisha vazhdon të mendojë se është i pazëvendësueshëm për vendin dhe për partinë e vet. Rezultati mund të jetë zhdukja e PD-së si forcë vendimtare në spektrin politik të vendit.
Ne jemi në rrugë për anëtarësim në Bashkimin Europian, por sa më shumë kalojnë vitet aq më e largët duket arritja e këtij objektivi. A mendoni se BE është duke e nënvlerësuar këtë proces ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit në përgjithësi?
Siç dihet, BE-ja kalon një fazë të vështirë. Me daljen e Britanisë së Madhe ka humbur një anëtar të fortë, ekonomikisht dhe politikisht. Pra për politikanët është e vështirë të argumentojnë hapjen e BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesa të mëdha të popujve në BE nuk janë aspak në favor të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit; kanë merak se taksat e tyre konsumohen atje, me pasoja të rënda për sistemet tona sociale. Përvojat me anëtarësimin tepër të herët të Ballkanit Lindor (Rumania dhe Bullgaria) nuk janë motivuese, as sa përket ekonominë as sa përket politikën. Siç kemi parë në Francë dhe në vende të tjera, forcohen forca djathtiste të cilat refuzojnë projektin europian në përgjithësi.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë shpërblimin e duhur për përpjekjet e tyre. Është skandalozë se Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras nuk ishin nderuar me çmimin Nobel të Paqes, por përkundrazi ata ishin dënuar me fundin e karrierave të tyre për zgjidhjen e konfliktit rreth emërtimit të Maqedonisë.
Kam shpresë se debatet aktuale për anëtarësimin të Ukrainës me procese të shpejtuara do t’ia japin hov të ri edhe Ballkanit Perëndimor. Do të ishte plotësisht e pajustifikueshme kur Ukraina dhe Moldovia do të ishin ftuar në BE-në para vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ka një përpjekje të vendeve të Ballkanit (përjashto Kosovën) që kanë ndërmarrë një nismë të quajtur “Ballkan i Hapur”. Si e shikoni ju këtë dhe kush përfiton realisht prej saj?
Shtetet e Ballkanit, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, janë të vogla me potenciale të kufizuara ekonomike. Nuk ka alternativë ndaj bashkëpunimit rajonal, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e njohura. Duhet të marrë fund mentaliteti i prapambetur ballkanas: “Unë jetoj më mirë kur komshiu im jeton më keq!” Jo vetëm brenda BE-së por edhe në fazën para hyrjes në BE interesat e përbashkëta në ekonomi, në infrastrukturë e energjetikë, në turizëm duhen ndjekur. Pra, më vjen keq se udhëheqja kosovare denoncon “Ballkanin e Hapur” si “Jugosllavi të re”.
Vitet e fundit e kanë faktorizuar kombin shqiptar në Ballkan si kurrë ndonjëherë më parë. Aktualisht kemi dy shtete shqiptare, kemi tre kryeministra shqiptarë dhe tre kryetarë parlamentesh gjithashtu shqiptarë. Mendoni se ka ardhur momenti të diskutohet për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm?
Bota po përjeton krizën me të thellë pas krizës së Kubës 60 vjet me parë. Askush prej nesh nuk di a mos jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore rezultati i së cilës do të jetë shkretëtirë bërthamore. Kufijtë e botës nuk janë përfundimtare, por të përhershme, por në situatën aktuale çdo përpjekje ta shndërrosh në mënyrë të njëanshme do të ishte lojë me zjarr afër një fuçie baruti.
Nuk mund të përjashtohet se të gjitha palët mund të gjejnë një konsensus afatgjatë me të cilin ndryshohet statusi aktual i Bosnje-Hercegovinës dhe si pasojë edhe statusi i Kosovës. Por për momentin ruajtja e statusit në ambientin shqiptar është në favor të shqiptarëve. Çdo megalomani nacionaliste mund të përfundojë në humbjen e arritjeve të dekadave të fundit.
Nëse do ju pyesja për emra konkret kush është politikani që ka drejtuar shtetin shqiptar këto tre dekada që ju e vlerësoni më tepër?
Unë vlerësoj dhe kam respekt për çdo politikan e çdo politikane që mbron demokracinë dhe angazhohet për mirëqenien e shtresave të paprivilegjuara.
Si i shikoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, tashmë që kemi një kancelar të ri?
Kancelari ynë Olaf Scholz tani ka vizituar disa vende të Ballkanit dhe ka kërkuar një dinamikë të re në anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE; e ka përsëritur këtë qëndrim edhe gjatë vizitës në Kiev.
Në përgjithësi politika jonë e jashtme është mjaft konsensuale; rrallë ka konflikte brenda partive tona demokratike në këtë fushë. Pra, politika e jashtme e qeverisë Scholz ndaj Ballkanit nuk do të ketë dallime të mëdha ndaj qeverisë Merkel (Scholz ka qenë zëvendëskancelari i Merkelit).