Policia dhe organet e drejtësisë kanë nxjerrë në dritë detaje të reja nga atentati mafioz i biznesmenit 51-vjeçar Ardian Nikulaj në Shëngjin, mesditën e 19 prillit.
Pasi policia britanike arrestoi 4 nga 6 personat e grupit kriminal që organizuan dhe vranë ish-kandidatin e PSD për këshillin bashkiak të Lezhës, mediat zbuluan se Edmond Haxhia, kushëriri i fisit Lekstakaj, që është në hasmëri me fisin Nikulaj prej 27 vitesh, ofroi 500 mijë euro për të vrarë biznesmenin dhe pronarin e hotelit “Coral” në Shëngjin, por për shkak se Nikulaj mbrohej mirë, askush nuk e mori përsipër një aksion me rrezikshmëri të lartë.
Më pas, në këto kushte, Haxhia hodhi sytë jashtë Shqipërisë ku mundi të pajtonte vrasësin portugez Ruben Saravia dhe 4 shtetasit britanik Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman.
Po ashtu, Saravia kishte vëzhguar vendin ku do të ekzekutonte Ardian Nikulajn dhe hapësirën përreth. Vrasja është konsideruar se ka ndodhur për motive gjakmarrjeje. Momentalisht, në arrati janë njëri prej vëzhguesve Harry Simpson dhe vrasësi i Nikulajt, për të cilët është kërkuar ndihmë nga autoritetet e huaja.
Ngjarja e 19 prillit risolli sërish në median dhe opinionin publik shqiptar shqetësimin për përshkallëzimin e krimit në vend.
Vrasësi u fsheh në banesën e Haxhisë për 2 muaj, Nikulaj ruhej për 6 muaj
Nikulaj lëvizte me automjet të blinduar dhe gjithmonë tregohej vigjilent për çdo lëvizje që kryente dhe në cilat mjedise do frekuentonte, sidomos në 6 muajt e fundit.
Nga ana tjetër, shtetasi portugez Saravia ishte vendosur fshatin Kakarriq dhe për 2 muaj me radhë vëzhgoi hapësirën ku do të kryente porosinë. 28-vjeçari fshihej në banesën e Edmond Haxhisë dhe herë pas here shkonte dhe në Shkodër për të humbur gjurmët.
Ai ishte kujdesur që në sytë e banorëve të Kakarriqit të shfaqej si person që kërkonte të martohej me një vajzë shqiptare. Pas atentatit, grupi kriminal u nda në dy pjesë, ku një palë iku nga pika kufitare e Kapshticës dhe tjetra nga Rinasi.
Lidhur me kapjen e atentatorit portugez, nëse ai do të lokalizohet e kapet në Portugali, ekstradimi direkt drejt Shqipërisë është mjaft i vështirë, për shkak se mes dy shteteve nuk ka marrëveshje ekstradimi, por në ndihmë mund të vijë Mbretëria e Bashkuar, sepse Saravia kërkohet në këtë shtet për trafik droge.
Pra, ekstradimi i tij është në dorë të autoriteteve britanike.
E dashura e Haxhisë i tregoi të gjitha, 4 prej tyre u kapën në Londër
Grupi kriminal u zbulua për policinë dhe prokurorinë nga e dashura e biznesmenit Edmond Haxhia.
Ajo tregoi se bleu motorrin që Saravia do ta përdorte në atentat. Për këtë vrasje, policia shqiptare ka shpallur në kërkim dhe vëllezërit Elton dhe Klodian Lekstakaj, të cilët besohet se kanë kërkuar vrasjen e Ardian Nikulajt.
4 prej pjesëtarëve të grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, u kapën në Londër gjatë një operacioni të gjerë policor.
Profili i Saravias, i dënuar në Angli për drogë dhe i lidhur me grupet kriminale shqiptare
28-vjeçari portugez me origjinë arabe, Ruben Saravia, rezulton një element i kontingjentit kriminal të huaj. Ai bëhet pjesë e krimit që në moshë të re.
Në vitin 2013, arrestohet dhe dënohet në Britani, për shpërndarje të lëndëve narkotike. Më pas ka qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale të krimeve kundër personit në shtetin britanik dhe pjesë e bandave të drogës.
“Killeri” portugez ka arritur te krijonte lidhje edhe me organizata kriminale shqiptare që operojnë në Britani dhe pikërisht kjo do të ishte lidhja e tij e parë me shqiptarët dhe kjo lidhje do të forcohej më shumë deri në momentin që do t’i ofrohej një shumë e majme për të kryer një atentat në Shqipëri, që kishte në shënjestër biznesmenin Ardian Nikulaj.
Britaniku Simpson në kërkim, i dënuar 2 herë në atdhe për trafik lëndësh narkotike
Harry Simpson, njëri prej 2 personave të shpallur në kërkim për atentatin ndaj Ardian Nikulakt në Shëngjin rezulton me precedentë penalë.
Ai u dënua në vitin 2019 në Britani të Madhe për shitje të drogës nëpër rrugët e Londrës. Më herët u dënua në vitin 2015 me 5 vite e 3 muaj burg, kur ishte 24 vjeç. Në shkurt të vitit 2015, Simpson është ndaluar nga policia teksa ka qenë duke drejtuar një mjet tip BMV të marrë me qira.
Atij iu konfiskua kokainë dhe kanabis me vlerë 40 mijë paund, ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpi i janë gjetur edhe para të thata “cash” për të cilat autoritete thonë se buronin nga aktiviteti kriminal.