EDI RAMA
Babai im ka qenë një dhuratë e Zotit për mua në sensin që ai nuk është përpjekur asnjëherë të më imponohet mua. Nuk mbaj mend të ketë ngritur dorën ndaj meje, apo dhe më pas kur unë fillova t’i jepja gojës, ai të imponohej ose të kërkonte që unë të mbyllja gojën.
E vetmja gjë, që në rastet kur kishim debat ose mosdakordësi, unë kam qenë fëmijë goxha rebel në aspektin e debatit, ishte që në fund thoshte: Dakord, po unë me timen, ti me tënden, me këtë mendje që ke mund të përfundosh edhe në burg, por puna jote. Ka qenë shumë liberal në raport me mua. Më ka dhënë mundësinë që unë të jem unë.
Në aspektin artistik nuk ishim në një vijë, por në atë pikë im atë ishte shumë përpara meje, në aspektin e tolerancës apo mirëkuptimit. Im atë ishte komunist, ishte artist, skulptor. Si i tillë, im atë ishte njeriu që krijonte dhe punonte në funksionon të atij sistemi, besonte tek ai sistem deri vonë. Nuk di ta them deri sa vonë, por mendoj që deri në fund të viteve ‘70, ‘80.
Pastaj besonte më pak, por ai ishte njeri goxha i përmbajtur, njeri i heshtur dhe si pjesë e pushtetit ai nuk kishte asnjë lidhje me pushtetin. Siç nuk kishin asnjë lidhje me pushtetin të gjithë ata që përzgjidheshin në Kuvendin Popullor për të ngritur dorën në ato sesionet parlamentare që mbaheshin 1 apo 2 herë në vit. Si i tillë, ai ishte pjesë e dekorit të madh, por nga pikëpamja e jetës së tij, ai zyrë kishte vetëm atelienë. Për rastin e poetit Havzi Nela është një rast shumë i trishtuar në vetvete.
Historia e tij është komplekse, por nuk jam prononcuar lidhur me këtë sepse më mungojnë 2 elemente. E para, më mungon fjala e tim eti. Rasti ka dalë shumë vite pasi ai ishte ndarë nga jeta dhe ka dalë në funksion të luftës politike me mua, nuk ka dalë po themi si dalje në dritë e fakteve në të shkuarën. Më mungon fjala e tij dhe e dyta më mungon bindja për atë firmë. E kam parë dokumentin. Nuk jam ekspert, por firmën e tij e kam në disa nga librat, se ai i shënonte dhe nuk jam i bindur as për firmën e tij dhe më mungon dhe fjala e tij.
Aq më pak pastaj jam i prirur të jem i nxituar në këtë aspekt, kur mendoj që ata që e nxorën dhe e kthyen në avaz në publik janë të njëjtët njerëz që për mua fabrikuan një dosje të tërë gjyqi të ndarjes me nënën e Gregut, ku u arrit deri në monstruozitetin që të shkruhej që unë në gjyq paskësha akuzuar nënën e djalit tim se djali im ishte djali i babait tim.
Është një dosje e fabrikuar 100% sikundër pastaj edhe është provuar 100%, për shkak se materialet e gjyqit janë aty dhe gjyqi ka qenë vetëm një seancë pajtimi dhe pas asajseance pajtimi, kanë shkuar avokatët dhe nuk ka pasur asnjë problem.
ENVER HOXHA
E kam parë si personazh. Mendoj se ka qenë kafshë politike, një tërmet që përkufizon ata të cilët instinktin e triumfit dhe të unimit politik e kanë më të fortë se sa të tjerët apo instinktin e mbijetesës përmes politikës e kanë më të fortë se të tjerët. Enver Hoxha është kafsha më e madhe politike që kemi pasur. Pa dyshim!
FATOS NANO
Për herë të parë në këtë zyrë kam takuar Fatos Nanon. Ai ka qenë Kryeministri i parë që kam takuar. Raportin me të sot mund ta quaj të bukur. Komunikojmë hera-herës, është se ai ka qenë këtë dhe ai e di fizikisht çfarë do të thotë presioni i kësaj zyre. Ai e di çfarë është vetmia në këtë zyrë. Njerëzit mendojnë se kur ngjitesh në majë, je i rrethuar nga një mori njerëzish, në fakt në majë je më i vetmuar.
Në fakt, në majë je më vetëm se askush tjetër. Sepse kur vjen koha e momenteve të vështira, je komplet vetëm. Për këtë arsye, eksperienca, ndjesia fizike e të jetuarit në këtë zyrë, sfidat, sfilitjet, përplasjet edhe ajo që kemi kaluar me njëri-tjetrin na e kanë bërë këtë raport shumë të bukur.
LARGIMI NGA PD
Isha në Igumenicë për një ekspozitë. Të nesërmen që u hap ajo dreq ekspozite, që ishte ekspozita ime e parë jashtë, kam lënë tim atë aty. Jam nisur dhe kemi ardhur me makinë nga Igumencia deri në Kakavijë. Dhe kishte ardhur im vëlla bashkë me Dash Pezën.
Tim vëlla e kish zënë makina dhe kur arritëm në Fier u kujtuam që Olsin e kishim lënë në Tepelenë. Kam ardhur vonë nga darka, ora 6-7. Dhe më çuan tek ajo salla, ishte një dhomë atje, dhomë konvikti. Janë atje më thanë dhe shkuam. Ishte i ndjeri Gramoz Pashko, atë pashë të parin. E njihja.
“Urdhëro – tha – çfarë do?”. Sikur s’më njihte. I thashë unë jam Edi Rama, kam ardhur për këtë punë. Dhe aty ndërhyri ky figura, që unë ia kisha dëgjuar emrin. Dhe në fakt talleshim me ato shkrimet e tij, të Saliut. Ishte shumë komunist për të qenë i marrë seriozisht. Sepse ishte ajo pjesa që mundohej të thoshte Ramzi Alia që këtu mund të ketë zëra që mund të flasin. Ishin disa nga këta që i kishin marr si…. nejse…
Dhe thotë: “O, po ky le të vijë se na duhet për fushatë se është i zoti i gojës”. Saliu. Ata po formulonin një deklaratë që ishte e para deklaratë e PD-së së sapoformuar për disa ngjarje në Shkodër.
Ramiz Alia i kishte bërë copë, huliganë. Ndërkohë aty ishte ky figura në këmbë. Preçi po lexonte tekstin. Dhe në një moment unë i them: “Ku jam këtu, ça është kjo? Është njësoj si me e pas shkruar Ramiz Alia. Jeni parti e opozitës apo është komiteti i rinisë që është bërë parti? Se nuk mund t’u themi huliganë që kanë thyer xhamat se janë të gjithë njerëz që janë rrahur për 50 vjet”. Në atë moment Gramozi shkretë thotë: “Ça propozon ti?”.
Dhe unë i them: “Luftë me Ramiz Alinë”. Dhe Gramozi thotë: “Jo, Ramiz Alia është Presidenti ynë dhe është garant i këtij procesi dhe PD-ja nuk do të vendosë kandidat kundër Ramiz Alisë, do jetë kandidat i përbashkët. Ndërsa ti, nëse do luftë, dil e bëj një parti tjetër”. U çova dhe ika. Leka Meksi më vuri këmbën, se ishte te dera dhe më tha: “Mos ik”.
Thashë dhe nja dy fjalë dhe ika. Nuk doja të angazhohesha në asnjë parti. Doja të angazhohesha me Partinë Demokratike në funksion të një gjëje për të cilën luftoja. Unë s’e konceptoja dot që të merresha me një gjë tjetër veçse me art.
Nuk isha kontestues i së majtës, por i Partisë së Punës dhe atyre që ndërruan xhaketën brenda 24 orësh dhe u bënë antikomunistë si Saliu me shokë. Kam qenë kritik me të dyja palët dhe nuk e kam pasur asnjëherë idenë që do përfshihesha me politikë. Në 1998-ën u angazhova me të majtën, sepse im atë vdiq atë ditë. Në çdo ditë tjetër po të kish vdekur, nuk do isha këtu sot. Ka qenë një humor i universit, kur i thonë.
Im atë ndërroi jetë në 11 prill dhe koincidoi me momentet kur Fatos Nano po bënte qeverinë e re. Erdha për funeralin e tij me një biletë vajtje–ardhje.
NJOHJA ME METËN
Para viteve ‘90 Iliri stërvitej te palestra e shtangës, te të rinjtë. Unë shkoja atje se bëja ushtrime force dhe isha shumë i lidhur në atë kohë me Agron Haxhihysenin, Aleksandër Kondon dhe merrja prej tyre ide për programin e forcës. Iliri më kujtohet, ishte në një kënd atje që stërvitej.
Por nuk kishim ndonjë njohje më shumë se kaq. Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast.
Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të. Me Ilir Metën ose jam marr vesh shkëlqyeshëm, ose nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh. O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar.
SALI BERISHA
Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arritur qëllimin. Kjo e ka penguar jashtëzakonisht shumë… Në aspektin e punëve, vështirë t’i njoh ndonjë gjë pozitive. Në aspektin e metodës, vështirë. Në aspektin e lidershipit, po. Ka qenë dhe është….
Tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancë edhe kur nuk ka pasur pushtet.
LULZIM BASHA
Lulzim Basha nuk është lider. Nuk ka karakter… si të them. Kjo tryezë ka karakter, ky abazhur ka karakter, ky mermer këtu ka karakter, ndërkohë që ajo është një lloj paluzeje, që nuk di merr formën, nuk di. Se ka politikanë që marrin formën e vazos gjithmonë, por nuk janë lider. Nuk ka lider që merr formën e vazos.
Discussion about this post