Në orën 9 drejt e te plazhi.Sa zbrita nga makina një çun i pazgjuar ende nga gjumi më foli si në qyp:
-Pesë mijë lekë.
-T’i jap te shezlongu.
-Këto janë për parkimin.Te çadra do vijë një çun tjetër.
Për fat kisha dymijëshe të re.
-Thyeje dhe eja,-më tha.
Po shkonim tek shezlongët kur na mbiu si nga rëra çuni tjetër.Pa thënë mirëmëngjes,foli:
-T’u shoh pak çantat!
M’u duk vetja si në Rinas.Zbrazi gjithçka dhe mori me vete një shishe ujë,dy mollë dhe dy molto.
-Do ua jap kur të ikni.Për ushqim e ujë blini te banaku.-tha dhe na ktheu kurrizin.
Por erdhi shpejt.
-Pesë mijë për çadrën-sikur na urdhëroi.
U pataksa.Pashë gruan aq të irrituar sa mendova se do ia kafshonte veshin djalit.Në çast nxora cel.
-Mos merr policinë,aman,-u lut gruaja.
-Merre,merre,-qeshi çuni.-Lokali i komisarit është.
Unë doja Çimin,shokun tim që më organizoi parvjet pushime në Greqi.
-Çimo,dua pesë ditë në Korfuz.
Sa kushton.
-Je me fat,sot filloi punë trageti i shpejtë për në ishull.Kushton 199 euro për person me tre vakte e pije pa fund,me transport dhe transfertë port-hotel.
-Po shezlongu sa?
-Hahahaha,free,vēlla,free.
I binte fare lirë,199 euro në atdhe të rrëshqasin si rërë brenda ditës.
-Kur niset trageti?
-Pas 6 orësh.!
-Shënomë dhe mua me Lulushen time.
Mblodha rraqet,rrëmbeva shishen e ujit dhe në vrap drejt makinës,bërtita:
-Çuna,moltot dhe mollët mbajini,i keni dhoro prej meje!
Nga Agim Xhafka