Bashkia e Tiranës ka dhënë 2.7 miliardë lekë për dy tendera të pastrimit të qytetit. Pjesëmarrëse në të dy prokurimet e zhvilluara janë kompanitë Korsel dhe Fusha shpk ndërkohë që në letrat e dërguara Agjencisë së Prokurimit Publik theksohet se stafet e Drejtorisë së Pastrimit dhe Menaxhimit të Mbetjeve Urbane janë prekur nga Covid.
Bashkia e Tiranës nuk i ka ndaluar prokurimet as në këtë periudhë të vështirë ekonomike të krijuar në vend si pasojë e efekteve të pandemisë.
Një prej procedurave të zhvilluara së fundmi është ajo për shërbimin e pastrimit të kryeqytetit për tri vjet, i ndarë në katër lote me një vlerë prej 2.7 miliardë lekësh.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike dy prej këtyre kontratave tashmë janë nënshkruar.
Bashkia nën drejtimin e Erion Veliajt i ka dërguar një shkresë Agjencisë së Prokurimeve Publike ku i kërkon zhvillimin e dy loteve me negociim.
Në kërkesë argumentohet fakti se stafet e Drejtorisë së Pastrimit dhe Menaxhimit të Mbetjeve Urbane dhe Drejtorisë së Prokurimeve kanë rezultuar pozitivë nga infektimi me koronavirusin dhe për pasojë procesi i punës është pezulluar.
Për shërbimin e Pastrimit të Zonës Tirana II kanë marrë pjesë dy kompani, Korsel me vlerën e ofertuar prej 33 milionë e 621 mijë lekësh dhe Fusha shpk me 33 milionë e 644 mijë lekë.
Kështu fituesi i kësaj kontrate është shpallur subjekti Korsel shpk.
Edhe në procedurën për zonën e katërt kanë qenë pjesëmarrës këta dy operatorë ekonomikë por edhe Alko Impex Construction.
Në këtë rast fitues është shpallur kompania Fusha shpk, pasi ndryshe nga rasti për zonën e dytë kishte paraqitur ofertën më të ulët.
Gjatë pandemisë Tirana ishte një ndër qytetet ku edhe pas mesditës kazanët e mbeturinave ishin plot.
Por sipas dokumentave të tenderit për asnjë rast nuk do të lejohen kazanë të tejmbushur, të patransportuara dhe mbeturina të lëna në zonën përreth kontenierëve.
Discussion about this post