19:47 Përfundon procesi i votimit/ Pjesëmarrje e ulët, KQZ: Në zgjedhje morën pjesë 1.1 milion votues
Pothuajse në të gjitha bashkitë ka përfunduar procesi i votimit dhe sipas shifrave nga KQZ numri i votuesve ka qenë 1.1 mln në rang vendi.
19:00: Mbaron afati zyrtar i votimit në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
18:43 Pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00
Deri në orën 18:00 kanë votuar 36,39% (për qind) e qytetarëve. Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2662 qendra nga 5211 në total.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 694 836 nga 1 909 641 zgjedhës në listën e QV të raportuara.
Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë për 4 vitet në vijim.
18:17: Vlorë: Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë në Vlorë, Hysni Sharra u bëri thirrje qytetarëve vlonjatë që të ushtronin masivisht të drejtën e tyre të votës. “Vlora dhe vlonjatët nuk intimidohen nga kërcënimet, presionet dhe asnjë tentativë tjetër që përdor regjimi për të ndryshuar atë që tashmë po vjen, ndryshimin e madh,” tha Sharra.
18:10: Tropojë: Zgjedhjet në bashkinë e Tropojës kanë kaluar pa incidente. Sipas nënkryetarit të KZAZ nr.09, Kujtim Rexha, gjatë këtyre zgjedhjeve nuk është regjistruar ndonjë incident dhe procesi ka qenë i qetë. “Deri në orën 18:00 janë paraqitur pranë QV-ve për të votuar rreth 9 mijë zgjedhës nga 22 mijë që janë në listat e votimit, pra kemi një pjesmarrje me rreth 41%,” tha Rexha.
18:09: Durrës: Në Qendrat e Votimit nr. 1423/1, 1424, 1424/2 dhe 1422/1 në Nishtullë të Durrësit, personat pa mjet identifikues si pjesë e qendrave ishin gati sa gjysma e personave të autorizuar brenda QV-ve. Ata shoqëronin votuesit që vinin si familje dhe i orientonin në qendrën e votimit, duke i pyetur edhe nëse kishin nevojë për transport. Megjithëse kishte punonjës të dedikuar, u lejua votimi familjar me pretendimin se kishin nevojë për orientim. E njëjta gjë ndodhi edhe kur shoqëruesi nuk kishte lidhje gjaku, për çifte të moshuarish që u sollën të votojnë.
18:00 : Pjesëmarrja bie në 35%, ndërsa palët i bëjnë thirrje mbështetësve të votojnë
Shqiptarët duket se po refuzojnë të marrin pjesë në votime në mënyrë masive të dielën, ku në krahasim me vitin 2021, ka një rënie në masën 9% për të dhënat deri në orën 17. Lexo më shumë këtu:
18:03: Gjirokastër: Konsulli i Përgjithshëm grek në Gjirokastër, Dimitrios Sacharidis ishte një nga vëzhguesit e sotëm në Gjirokastër.
18:00: Tiranë: Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi deklaroi se problematikat me identifikimin elektronik e kanë cenuar procesin, por ai tha që impakti i këtij problemi është zero në procesin zgjedhor. Të dhënat e KQZ tregojnë se nga raportimi i 4497 Qendrave të Votimit deri pasdite tregojnë për 31.42 përqind pjesëmarrje. Sipas Celibashit, kanë votuar 998.633 mijë votues të identifikuar nga PEI. Nga kjo shifër, 93.86% janë identifikuar elektronikisht, ndërsa 7% janë identifikuar me kartë identiteti, pasi nuk ka qenë e mundur të bëhet identifikimi me shenjë gishtash. Komisioneri tha se ka pasur 927 raste për tentativë të votimit të dyfishtë, që janë parandaluar nga sistemi. Celibashi e vlerësoi procesin normal duke u bazuar në numrin e denoncimeve nga subjektet zgjedhore e qytetarët. KQZ ka marrë 29 denoncime gjithsej, 3 janë nga Partia Socialiste, 1 nga Koalicioni Bashkë Fitojmë dhe të tjerat janë denoncime nga qytetarët në platformën elektronike të KQZ-së.