Muharremi vdiq për t’u pasuruar Zamiri me shokë!
Për më tepër se 130 orë, Muharrem Plaku mbajti mbi supet e tij tonelatat e masivit shkëmbor që u shëmbën mesditën e 15 shtatorit, në galeritë famëkeqe të zonës D. I shprehim ngushëllime familjes për humbjen e tyre të madhe dhe të dhimbshme. Muharremi ishte baba e një kryefamiljar që të vetmen mundësi jetese kishte punën në minierë, por humbi jetën padrejtësisht.
Hyri në galeri pa siguri për jetën, e bënte në fakt çdo ditë të jetës së tij. Kushtet me të cilat ai punonte, bashkë me minatorët e tjerë, ishin të mjerueshme. Vetëm një helmetë në kokë dhe një elektrikë dorë, dhe endej në rrugët e errëta të galerive në kërkim të pasurisë më të madhe të Shqipërisë. Jeta e tij ishte e lidhur me kromin dhe jeta e tij u ndal po nga kromi.
Duhet të punonte fort dhe në fronte të reja të pazbuluar që Zamiri me shokë të mbushin kamionët e t’i sheshin në Kinë e ku kanë lidhur kontratat marramëndëse. Siguria për punë zero, asnjë mjet teknik dhe teknologjik për të vëzhguar territorin nën tokësor, përveç helmetës, elektrikut dhe lopatës.
Muharremi nuk meritonte të humbte jetën në këtë mënyrë, ai ishte shtylla e shtëpisë, por jeta e tij për Zamirin me shokë aq vlente, sa një grusht krom më tepër. Nuk meritonte të humbte jetën as A.XH. 50 vjeç, as L.LL 20 vjeç, as E.A 35 vjeç, as 99 minatorët e tjerë që janë ndarë tragjikisht nga jeta që nga viti 2018. Këta nuk janë vetëm numra apo statistika, janë jetë punëtorësh, jetë kryefamiljarësh që punonin ditë e natë.
Ngjarjet në miniera nuk ja rastësi, as aksidente, por janë paralajmërime të herë pas herëshme mbi sigurinë në punë. Qeveria ka vite që tallet me Statusin e Minatorit, nuk e miratojnë, i gënjejnë. Këta minatorë që vdesin nuk kanë sigurim jete, nuk ka një mbështetje finananciare për ta, nuk respektohet e drejta e viteve të pensionit.
Muharremi ishte 61 vjeç, duhet të kishte dal në pension 6 vite më parë, për të shijuar vitet e punës dhe të kalonte pensioni me nipër e mbesa në shtëpinë e tyre të ngrohtë. Ai refuzoi të qendrojë në shtëpi pasi kontributi që merrte ishte qesharak. Vendosi të punojë akoma për dy para më tepër, për familjen dhe fëmijët e tij.
Ai vijonte të punonte sepse privati shfrytëzonte fuqinë e tij, njohurit e tij teknike për të nxjerr sa më shumë krom. Pasuria më e madhe kombëtare nuk duhet të menaxhohet nga privati, por duhet t’i kthehet shtetit shqiptar. Në galeri humbin jetën e plagosen minatorët sepse nuk ka investime. Investimet e fundit janë që në kohën e diktaturës. Privati shfrytëzon pasurinë kombëtare por nuk investon, nuk krijon kushte të sigurta pune sepse i intereson vetëm kromi, ndërsa jeta e minatorit për të nuk ka ndonjë vlerë të madhe.
Në miniera nuk duhet të ketë më dëshmorë që humbin nën rrënoja e gjendet pas disa ditësh, si të mbyturit në oqeane. Minatorët duhet të trajtohen me kushtet që trajtohen kolegët e tyre në Rajon e në Europë, për ndryshe tragjeditë në rrugët e errëta të galerive nuk do të shterojnë asnjëherë. Jeta e minatorëve vlen më shumë se kampionët me krom që duan të mbushin oligarkët dhe biznesmenët e lidhur me pushtetin. Mbroni minatorët, kthejini shtetit pasurinë publike.