Iku Lul Brava, siç e quanin berishistët me ironi Lulzim Bashën. Tash është radha të ikë edhe Sali Berisha. Çdo minutë e më tepër që Berisha e mban peng PD’në, ai ia zgjatë jetën Edi Ramës. Shqipëria ka nevojë për më shumë të ardhme e më pak të kaluar. Qe kush është kandidati më i mirë…
Shkoi edhe Lulzim Basha. Aq relevant ka qenë në politikën shqiptare, sa epoka e sundimit të tij mund të quhet edhe epoka e Hiçit. Gjëja më e rëndësishme dhe më e mirë që e ka bërë ai në gjithë karrierën e tij politike ishte dorëheqja. Kjo flet mjaft. Pas kushedi se vitesh, kur flitet për PD’në, kur flitet për Bashën, dikush do të flet për dorëheqjen e tij të vonuar.
Sido që të jëtë, kjo është hera e fundit që shkruaj për të. Për të vdekurit politikisht vetëm fjalë të mira. E edhe për Bashën.
Çkado që do të ndodhë tash e tutje me Partinë Demokratike më nuk është faji i tij. Topi ka kërcyer në oborrin e Berishës, si eminenca gri e kësaj partie, prej kur ishte larguar nga kreu formal i PD’së, para gati një dekade. Benjamini i tij, ose gabimi i tij, iku. Të kota janë pretendimet e Berishës që Basha çfarëdo që ka bërë gabim nuk ka qënë faji i Berishës, kurse çfarëdo që ka bërë ai mirë, ka qënë meritë e Berishës.
Kryetari historik i PD’së, për periudhën e Bashës, hiç disa muajt e fundit ka qënë përgjegjës, po aq sa Basha. E ka bekuar dhe mbrojtur çdo humbje të tij. Kritikëve të Bashës u ka dalur përpara, duke e mbrojtur Bashën e dobët prej sulmeve.
Shumë prej nesh jemi rreshtuar pro Berishës, kundër Bashës, kur ky i fundit vendosi që të bënte të pabërën. Tradhtia që Basha e kishte bërë, duke e shitur Berishën, ka qënë moralisht dhe politikisht e pafalshme. Prandaj, edhe i kemi dhënë të drejtë Berishës, por vetëm për këtë pjesë, e jo për çdo gjë që ka ndodhur.
Tash kur Basha shkoi, njeriu i dytë më i mirë për të liruar Partinë Demokratike do të ishte Sali Berisha. Do të thosha që janë dy arsye të rëndësishme, bie fjala mosha dhe Amerika, por nuk do të ishte shumë e ndershme. Është vetëm një arsye: Amerika.
Bota njeh lider me të vjetër se Berisha. Pastaj Berisha as nuk duket nga ata të moshuar që fillojnë e ngadalësohen. Përkundrazi, memoria e tij duket memorie e një të riu. Është i mirë me emra, me shifra dhe me ngjarje. Në çdo intervistë televizive të fascinon me reflekset. Shumë i mprehtë.
Kështu që nuk kemi çfarë të bëjmë fare kompromis me me arsyen kryesore, e që është lista e zezë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sido që të komentojmë dhe analizojmë atë listë, ajo e zezë do të mbetët. Mund ta fajësojmë Sorosin, që unë nuk besoj shumë në teori të konspiracionit, mund ta akuzojmë Bashën, mund ta akuzojmë edhe Ramën, por ajo listë e zezë do të mbetët e zezë, sepse ka kaluar nëpër Shtëpi të Bardhë.
Do të ishte e pafalshme për opozitën në Shqipëri që të provonte ta promovonte për kryeministër të ardhshëm të vetin, një politikan që as vizë për Amerikë nuk do të mund të marrë. Prej 3 milionë shqiptarësh, të shtyshë përpara një që është në listën e zezë, kjo do të ishte qesharake. Nuk ka as kuptim, e nuk është as e arsyeshme. Një insistim i tillë do t’i bënte shërbimin më të madh Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar. Janë qindra mijëra shqiptarë që do të ngurronin t’i shkonin mbrapa Foltorës së Berishës, thua që nuk është askush tjetër i gjallë në atë territor, që do të ishte më me pak hipoteka dhe më me pak probleme se sa Berisha.
Në një bisedë që e kisha ditëve të fundit me një mik timin në Shqipëri, kur po bisedonim për gjendjen politike atje, i thash që prej kur e vizitoj Shqipërinë, unë kurrë nuk kam parë klimë më opozitare se sa këto kohët e fundit. Ai po më kundërshtonte, sepse ishte i dëshpëruar. Siç e kemi zakon ne shqiptarët, filloi të shajë popullin, e opozitën, e pushtetin, për këtë gjendje të pashpresë. Nuk vonoi shumë dhe filluan protestat. E thirra dhe i thash, që nëse nuk i besonte pallavrave të Ramës se këto janë protesta të porositura nga Rusia, atëherë kjo ishte ajo çfarë i kisha thënë më herët, që populli është i pakënaqur. Por tek e fundit, edhe nëse qenkan të cytura nga Rusia, atëherë megjithatë duhet të pranojmë që Rusia nuk paska vetëm plane të këqija (SARKAZËM).
Tash, meqë gjendja është kjo që është, meqë politikani që po e ndrydhte frustrimin e qytetarëve me qeverinë iku, në Shqipëri është hapur një avenu e gjërë për të bërë ndryshime të mëdha. Dhe personi që duhet ta bëjë ndryshimin nuk është Berisha. Ky i fundit duhet të bëjë çdo gjë në fuqinë që e ka për të fascilituar këtë proces, por jo që të luftojë për vete, e as për të futur aty ndonjë prej kukullave të tij.
Partia Demokratike e ka të gatshme fitorën, kurdo që do të mbahen zgjedhjet, mjafton që në ballë të saj mos ta ketë dikë që nuk është i kapur nga Rama, e tash mund të themi as nga Berisha. PD nuk duhet të zgjedhë për kryetar të saj as një yll të Hollivudit, as nuk duhet të zgjedhë një njeri që është shumë i pasur, e as shumë i varfër, as që është shumë i shkurtër, e as që është shumë i gjatë. Partia Demokratike duhet ta zgjedhë dikë që nuk është i kapur nga Rama, që nuk është i kapur nga Shefqeti, që nuk është i kapur prej klikës mafioze shqiptare.
Studioet televizive tash e tutje do të gëlojnë me opinione të njerëzve të gjithëditur që do të kërkojnë në krye të PD’së një Zelenski, a një Kenedi, a një Toni Blair. Jo, Shqipëria ka nevojë për dikë shumë më të përkorë, një njeri që i njeh dhe i konstaton problemet.
Dy centët e mi në këtë betejë shkojnë për Agron Shehajn.