Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas incidenteve në veri të Kosovës, ku serbët kanë djegurQqendrën e Regjistrimit të Automjeteve në komunën Zubin Potok.
Osmani i ka bërë thirrje Bashkimit Europian dhe NATO-s të ndalojnë regjimin e Vuçiçit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi.
Ajo i bën thirrje qytetarëve kosovarë që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë.
Postimi i Vjosa Osmanit:
Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon.
Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet
baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi.
Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë.
Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë.