Jam Ylberi, kam lindur në Kumanovë, jam djali i vetëm i një familje të shtresës së mesme.
Në moshën fëmijërore (8-10 vjec) më ka pelqyer të blej dhe këmbej valuta … më kujtohet si sot kur me këmbimin e gati një mijë dollareve fitova 50 dollarë me të cilat bleva një palë atlete … u gezova shumë – që në fëmijëri kisha shpirtë sipërmarrësi – por çka ndodhi më vonë?!
Në moshën 12 vjecare fillova punën e parë, shitës i paisjeve ndriçuese. Pronari ishte një burrë shtatshkurtër, mjekërrmadh, po zemër ngushtë – përpos punëve që bëja në dyqan më shfrytëzonte edhe për të kryer shërbimet e familjes së tij … pas një muaji mora pagën time të parë në vlerë prej 50 euro.
A ja ka vlejtur barra qeranë?! Nuk e di!
Përgjatë shkollës së mesme çdo pushim verorë e kaloja duke punuar si kamarier në një piceri të qytetit – aty shërbeja me zell, dhe mbi te gjitha kisha një miresjellje të pashoq me klientët.
Edhe aty si pothuaj se në çdo vend tjeter qëllimi kryesore i pronarit ishte shfrytezimi maksimal i punëtorit – punoja 8 orë, pa pauze (kohë veç sa për të ngrënë një kafshat buke), dhe sikur nuk mjaftonte kjo – në darkë pastronim komplet lokalin si t’përgatiteshim për Festën e Bajramit, pastrami zgjaste 1-1.5 orë. Ne shtepi shkoja në orën 2 të natës. Në fund të muajit merrja 120 euro, tamam per të blerë një komplet rrobash të reja për vitin e ri shkollor.
Përgjatë kësaj kohe (sa isha në shkollë të mesme) punoja edhe ndonjë projekt tek-tuk ngase kisha arritur një nivel të kënaqshëm në zhvillimin e ueb-it.
U regjistrova në fakultet – punoja në projekte (për klientë) dhe studioja, punesohesha në kompani që nuk ja vlente as t’i vizitoje, dhe pas një kohe relativisht të shkurtër jepja dorëheqje.
Pas mbarimit të vitit të dytë vendosa të punoj freelance në tregun global dhe punët filluan të rregullohen – merrja projekte të shumta, projekte të cilat ma prolonguan diplomimin për 2 vite shtesë (nga 3 të paraparat)…
… punët vazhduan, herë freelance e herë me kompani (britanike, amerikane, gjermane, zviceriane, skandinave …) të ardhurat si kurr më parë…
Tre vite të shtrenjta të jetës sime punova edhe si mësimdhënës në shkollë të mesme e më pastaj edhe në shkollë fillore (e bëja paralelisht me punën si programues), mirëpo, me keqardhje më duhet të them se edhe nga ky profesion i shenjtë u zhgënjeva shkaku i disa politikave të mbrapshta që zhvilloheshin përbrenda…
Në vitin 2020, para përhapjes së semundjes pandemike, ideova dhe themelova shkollën digjitale PËR PROGRAMERA me besimin e palëkundshëm mbi idenë se edukimi virtual është e ardhmja … trajnimin e parë e fillova me 30 nxënës dhe përgjatë kohës u bashkangjitën edhe 6 të tjerë, pra, 36 gjithesej.
Të gjitha sesionet u publikuan në YouTube dhe puna ime mori jehonë ndër studentë e dashamirë të shkencave kompjuterike.
Trajnimet vazhduan … secilen herë numri i studenteve rriteshte e edhe cilësia poashtu.
Në ndërkohë, studenti im i dalluar Blerjan Gashi, nisi me trajnimet për WordPress, Elementor, dhe WooCommerce; dhe pati një sukses edhe më të madh se une në fillesat e mia – kuptohet, unë veç më kisha ndërtuar bazën e biznesit, dhe tash më gjërat ecin më mirë.
Përgjatë kohës sa ligjeroja, poashtu punoja për kompani zviceriane dhe britanike, tek e para si zhvillues e tek e dyta si konsulent … plus, nga ana tjeter lexoja në menyrë intensive – kohë për familjen mbeteshte shumë pak.
Shumë djersë, shumë stres, shumë sukses …. ishim nisur drejt majave të suksesit.
…
Këtë muaj (05.2022) fillova me grupin e pestë të bootcamp-it, në grup kam rreth 230 studentë nga mbarë trojet shqipfolëse, duke mos munguar edhe studentët nga diaspora.
Muajve të fundit poashtu vendosa që të jap dorëheqje nga kompanitë ku punoja dhe tërë mundin dhe energjinë time vendosa t’ja kushtoj misionit tim jetesor – edukimit të të rinjëve shqiptarë.
Pra, tash e tutje do të jem i angazhuar 100% (full-time) në shkollën digjitale PËR PROGRAMERA – jam tepër i entuziazmuar.
Pergjat muajve dhe viteve në vijim kam plan të detajuar se çka dhe si do të veproj – mirëpo, i gjithë plani im pa mbështetjen tuaj do të ishte zero – andaj, edhe ju falënderoj nga zemra.
Po e mbyll këtë rrëfim duke ua shpalosur misionin e PËR PROGRAMERA: “Të edukojmë 1 milion studentë nga mbarë trojet shqipfolëse”.
Kur të arrijmë këtë cak do t’ju rrëfehem sërish dhe do t’ua shpalos plagët e shputave të shkaktuara përgjatë këtij rrugëtimi fisnik.
Nëse unë arritja t’ja dal, do t’ia dalësh edhe TI ylber.info