Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj sulmon ashpër gazetarin e kronikës Artan Hoxha, për një shkrim në rrjetet sociale që ka bërë ky i fundit. Tre ditë më parë Hoxha ka publikuar foton e një Mercedesi luksoz që qëndronte para Bashkisë dhe shkruante se ai ishte i Veliajt.
Referuar një shënimi në Twitter, kryebashkiaku thotë Artan Hoxha paguhet nga bandat. “Jo Tan Pasmaciu, por ASKUSH! Nuk ka asnje gazetaruc ne bordero bandash, apo trafikant droge me TV, te me vere gjobe”, shkruan Erion Veliaj.
Më herët, gjatë ditë së sotme i pari i Tiranës ka sqaruar se lajmi është i pavërtetë dhe se është publikuar nga portale gjobëvënëse.
“Po u more me gjobat që vendosin portalet dhe televizionet nuk bën dot asnjë punë. Njëri thoshte se lali ka blerë makinë 500 mijë euro. E para e punës, kush më njeh e di se unë nuk jam rraqexhi makinash. Më thanë dil e sqaroje, po kë të sqaroj? Edhe ai që e ka shkruar këtë rrenën e di që nuk është e vërtetë”, tha ai.