Po përsëritet sërish skema e njohur nga elita e vjetër që ka monopolizuar politikën, për ta mbajtur të polarizuar situatën ku qytetarit kanë vetëm dy zgjedhje: ose do të votojnë Edi Ramën në një anë, ose nga ana tjetër Lulzim Bashën, Sali Berishën e Ilir Metën.
Por a ka rrugë tjetër përveç “oligarkisë politike” më 25 prill?
Edhe pse duket si rrugë pa krye, gjithsesi ka një mundësi që qytetarët mund të gjejnë me votë rrugën e endjes së tyre.
Duke mos i votuar ata që ju kanë ardhur në majë të hundës, por as të bojkotojnë votimet. Pasi pikërisht ky është qëllimi i kastës; që të bëjnë të mundur abstenimin nga ata që nuk i duan dhe që kanë të vulosur qëndrimin kundër.
Në harkun e komplikuar të politikës shqiptare, ka gjithsesi grupe dhe parti që nëse forcohen mund të shërbejnë si një logjikë frenimi të dinosaurve të mëdhenj.
E këtu natyrisht nuk hyn asnjëri nga klika, por pjesa e partive të ashququajtura të vogla që konkurojnë prej vitesh apo do të dalin të reja.
Që nga grupet e reja të së djathtës e deri tek ata të qendrës që jo thjesht janë e keqja më e vogël, por janë një alternativë ndryshe e klikës.
Agrarët e Agron Dukës për shembull, që kanë brenda elementë të Partisë Socialiste të Fatos Nanos, por edhe pjesë të PD-së së hershme, janë një alternativë e qetë, qytetare dhe intelektuale që mund të japin një përfaqësim ndryshe në Kuvendin e ri të pas 25 prillit.
Një parti që kanë emra dhe intelektualë të spikatur që duke qenë të vegjël, nuk se kërkojnë pushtet absolut apo të vulosur, por kanë synim të dëgjohet zëri i tyre në Parlamentin shqiptar. Duke qenë të tillë ata mund të bëhen “digë” për të mëdhenjtë, mund të kushtëzojnë zgjedhjet e çmendjet e grupimeve të mëdha që kanë vetëm synim krijimin e një logjike 8 vjeçare tashmë të vulosur në traditë.
Gjithashtu janë edhe grupimet e reja politike që pritet të dalin në zgjedhjet e 25 prillit, por duhet pasur kujdes se a janë me të vërtetë formacione, apo thjeshtë janë krijesa si kërpurdhat pas shiut.
Këtu mund të hyjnë “Murrizi”, “Nisma Thurje”, formacioni i ish-drejtuesve të PD-së etj etj.
Megjithatë ka kohë për të parë se si këto nisma do të piqen e do të vijnë para qytetarëve si propozime elektorale.
E rëndësishme është që shqiptarët, në këtë situatë, kanë edhe një zgjidhje ndryshe, flitet për ata që e ndjejnë veten jashtë Ramës, Berishës e Metës. E faktikisht janë shumë. Bojkoti nuk është zgjidhja, pasi do të bënte që të fitonin shumë “oligarkët”.
Po të shikosh historinë politike të Shqipërisë që nga viti 1990, aktorët e tjerë përveç të mëdhenjve, kanë luajtur një rol deçiziv në periudha të rëndësishme.
Në vitin 1994, Sali Berisha nuk mundi të miratojë në Parlament Kushtetutën që ai deshi e që e kurorëzonte një Erdogan të kohës së sotme, pikërisht nga votat që kishin në Parlament socialdemokratët e Gjinushit apo deputetët e PAD-së.
Edhe më vonë, në kohën e Nanos, ai nuk mundi të bëhej President ngaqë partitë e vogla që kishin një hapësirë më të madhe se sot në Kuvend, nuk ja lejuan. Berisha në 2007, u detyua të afrojë demokristianët në qeverisje, të cilët deri në 2009 e ndaluan një logjikë revanshiste.
Por pas 2009, ishte elita e vjetër që ndërmjet Kodit të arritur si pjesë e paktit Rama-Berisha, diktoi kushtet politike në vend.
Sot me hapjen edhe të pjesshme të listave është mundësia që të gjendet ajo hapësirë politike jashtë oligarkisë, qoftë edhe duke zgjedhur “të keqen më të vogël”…/Pamfleti
Discussion about this post